Tuesday , July 14 2020

Jo Vetem Biznes – Pasticeri Cela

Gelateri Çela, nje tradite qe vetem rritet!

Gelateri Çela, nje tradite qe vetem rritet!
Një vizitë në Durrës nuk mund të quhet e plotë pa një ndalesë tek “Gelateri Çela”, një
simbol i akullores artizanale të punuar me pasion e cilësi maksimale.

Të evidentohesh në një qytet si Durrësi nuk është e lehtë. Mjafton një shëtitje në
Muzeun Arkeologjik apo në zonën e Vollgës, dhe kujtohesh se ky qytet i ka të gjitha:
historinë, kulturën, detin, monumentet. E përbri emrave të së shkuarës, plot modesti
por më shumë shije qëndron një tjetër emër që spikat në hartën e turistëve: “Gelateri
Çela”.
13 vite më parë të mendosh viti 2007 nuk të duket larg, kjo pikë akulloresh lindi
nga eksperienca dhe vizioni i vëllezërve Agim dhe Mond Çela. Nje ambjent i
pashfrytëzuar, nje xhaxha qe punonte si akullorebërës në Itali dhe malli i tejskashëm
i vëllait për vëllain e nxiti këtë familje të krijonin një biznes që nuk ishte parë kurrë
në Shqipëri, Gelaterinë Çela.

Në intervistën e Irsidës, vajzës së Agim Çela ajo rrëfen vështirësitë e biznesit në
fillimet e saj:

‘’ Të gjithë para se të bëhej hapja e biznesit, kembëngulnin për mos hapje  se do të
falimentonim, nuk ishte një biznes i zhvilluar etj. Viti i parë ka qenë paksa i  vështirë
për ne, në 2007 ku në Shqipëri nuk ka pasur pothuajse asgjë, ku praktikisht
ndodheshim më shumë kohë pa drita sesa me drita.’’
Për të tjerët ndoshta të gjitha këto arsye do të ishin mjaftueshëm për të t’u tërhequr
nga kjo iniciativë, por jo për Agimin, ish-kapitenin e skuadrës së futbollit të
Lokomotivës, i mësuar me sfidat që duhen fituar, apo vëllain e tij, Mondin, i cili falë
eksperiencës së marrë në Itali, e dinte se kishte formulën fituese për t’i bërë
shqiptarët të adhuronin akulloren që do të mbante mbiemrin e familjes.

Gjatë kohës, vështirësitë janë gjithmonë pjesë të një biznesi, siç citon dhe Irsida:
‘’ Fakti që nuk kishim energji elektrike, ishte problematika me e madhe. Na duhej të
investonim për këtë pjesë, duke blerë një gjenerator në madhësine e autobusit për të
mbajtur biznesin hapur.Gjithashtu i njëjti problem me ujin, përsëri kemi investuar

duke krijuar depozita te nëndheshme. Këshilloj çdo biznes që dëshiron të jetë i
sukseshëm të marri parasysh këto dy elementë si primare.
Një cështje, në dukje, jo problematike ka qenë punësimi i personelit te duhur. Ne
ndërmorëm masa për trajnimin e tyre në mënyrë që të kishim forcën e duhur të
punonjësve.

Risia jonë ishte në ofrimin e një game të gjerë të shijeve të akulloreve, pasi dihet se
tradicionalisht ka patur vetëm akullore të bardhë – vanilje, rozë-luleshtrydhe dhe
çokollatë. Ne ishim të parët që sollëm një ndryshim në tregun shqiptar kjo në
vetevete kishte rrezikun e humbjes së klientelës e cila duhej të mësohej me shije te
ndryshme. Risia jonë qëndron edhe në përdorimin e lëndës së parë, që janë natyrale
dhe rrjedhimisht me kosto më të lartë por edhe problematika me doganat pasi ato
vinin nga importi. Vështirësitë e burokracisë së administratës publike janë elemente
që cdo biznes që planifikon të punojë me ta, do duhet të bëjë parashikime në kohë
dhe energji për tu marrë me ta.  Burokracia bën që furnitorët të arrijnë deri aty sa
edhe te shkëpusin mardhëniet me blerësin. Burokracia mund të ndikojë negativisht
dhe në cilësinë e mallit, po te keni parasysh që produktet tona duhet të jenë
hermetike, ndërkohë që dogana duhet ti testojë ato. Higjena e organeve shtetërore lë
shumë për të dëshiruar.

Kur e pyesim se cfare eshte vizioni, plani strategjik dhe ekonomik se ku dëshiron të
jetë biznesi pas 5 dhe 10 vitesh.  Irsida buzëqesh dhe thotë se: ‘’Im ate është paksa tradicional,  nuk ka dëshire të ndajë sekretin me të tjerë. Është menduar të bënim franchising në Shqipëri, por brandi është gjëja më me vlerë që ne kemi rrjedhimisht nuk e kompromentojmë dot atë. Gjithashtu legjislacioni nuk është në mbështetje të kësaj metodike të përhapur në të gjithë botën.

Megjithatë nuk është sekret që gjithmonë kemi dashur të hapim një pikë në Tiranë.
Gjithashtu nuk përjashtojmë edhe mundësinë që të kalojmë në tregun ndërkombëtar
fillimisht nga Europa. Mendojmë që do ta bëjmë jo vetëm me akullore.  Gelateri Çela
ka nje gamë të gjerë produktesh, pjesë të pastiçerisë  si edhe në fushën e kafesë
duke ju pershtatur dhe kulturave te ndryshme.’’

Dëshirojmë të përfitojmë nga eksperienca juaj duke marrë dy këshillat për bizneset e
reja:
PASIONI ‘’Gjithmonë fillimi është i vështirë por nese keni pasion dhe i vendosni
qellim vetes mund tja dilni gjithmone!’’
BENI ATE QE DINI – EKSPERIENCA : Problematikat janë gjithmonë pjesë të procesit, por
çelësi është tek eksperienca.’’

Faleminderit Irsidës për intervistën e kryer!